ZONA E DUMRESË ME QENDËR QYTETIN E BELSHIT

Dumrea ka pamjen e një pllaje  me kodra e lugina që vijnë njëra pas tjetrës që rrallë e kalojnë lartësinë 200 m mbi nivelin e detit. Ajo është një krahinë kodrinore në pjesën qendrore të Shqipërisë. Vendodhja në kryqëzimin e rrugëve që lidhin fushën e Elbasanit me fushën e Myzeqesë, luginën e Devollit me luginën Shkumbinit dhe malësisë përreth (Verce, Sulovë, Darsi, Krrabë) ka favorizuar ndërveprimin e kulturave dhe ngritjen e vendbanimeve historike. Në këtë zonë ndodhen shumë liqene natyrorë si: liqeni i Belshit, Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, Dorbit, Plevicës, Civiles etj. Me bukuri të rralla, me një flore të pasur siç janë zambaku i bardhë, zambaku i verdhë etj. Bukuritë  e  tyre  kanë  tërhequr  vëmendjen  e vizitorëve  vendas  dhe  të  huaj  të  cilët  i  kanë vlersuar si  dhuratë të natyrës së kësaj zone, ku dhe shumë shkrimtarë e poetë i kanë shkruar vargje bukurive të tyre. Fauna  e liqeneve është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme siç janë krapi, amuri etj. Në disa liqene ka dhe ngjala të cilat janë specie endogjene.

Zona e Dumresë ofron dhe mundësi të mëdha për turizëm.

Peisazhi tërheqës dhe numri i madh i liqeneve natyrorë i japin Dumresë një bukuri të madhe. Mendimtari i madh i rilindjes sonë kombëtare, Sami Frashëri, duke u nisur nga bukuria e peisazhit dhe karakteristikat e tjera të kësaj krahine, mendonte të ndërtohej këtu kryeqendra e shtetit të ardhshëm Shqiptar.

Nga  ana  administrative,  në  Belsh  ndodhen 5 Njesi Administrative(Komuna) dhe një Bashki në përbërje të të cilave ndodhen 35 fshatra, me një popullsi prej rreth 33.969 banorë. Popullsia e kësaj zone është kryesisht autoktone si dhe të ardhur  në periudhat e mëvonshme nga zonat përreth si Sulovë, Verçe, Gramsh dhe Shpat. Popullsia e zonës merret me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore si grurë, misër, duhan, perime, vreshtari e frutikulturë pasi zona e Dumresë ka kushte shumë të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e tyre. Gjithashtu mbarshtron dhe bagëti të trasha dhe të imta, derra, shpend dhe bletë, për të siguruar produkte  për nevojat e veta dhe një pjesë për shitje. Një pjesë e vogël merret me tregti, kryesisht në qytetin e Belshit. Dumrea bën pjesë  në  zonën  e  ulët  bregdetare  të  territorit  të Shqipërisë dhe ka klimën e saj. Nga përbërja gjeologjike Dumrea përfaqëson në vetvete një formacion origjinal, që nuk takohet në asnjë pjesë tjetër të territorit të Shqipërisë.

Dumrea është një rajon karstik, formacionet bazë të të cilit janë gipset, dolomitet, kripërat e gurit dhe tufi vullkanik. Duke udhëtuar nëpër zonën e Dumresë njeriu ndeshet me shfaqjet e ndryshme e të shumta të fenomenit të karstit. Në të gjithë sipërfaqen e saj, veçanërisht në pjesën jugore të saj vihen re mjaft hinka karstike apo gropa fundosjeje. Në fundin e këtyre hinkave takohen shpesh poret thithëse, nëpërmjet të cilave ujrat sipërfaqsore zhduken në thellësi të tokës. Një pore e tillë vihet re në fundin e masivit të malit të Gradishtës ku humbasin ujrat e turbullitë. Në pjesën jugore të saj ndeshen dhe lugina qorre ku uji i tyre humbet në thellësi të tokës.  Kjo  zonë  ka  një  sipërfaqe  prej 268 km katrorë dhe një popullsi sot prej 33.969 banorë me një dendësi 142 banorë/km katrorë.

Kjo zonë ka qenë e pyllëzuar me pyje dushku, drize, shkozë, frashër dhe me pemë  frutore    të  cilët  i  jepnim  asaj  një bukuri të rrallë. Pas formimit të Kooperativave Bujqësore në vitin  1956-57 kjo zonë ju nënshtrua shpyllzimeve pa kriter të pyjeve, të prerjes e shkuljeve masive të pemëve në ara  për ti kthyer ato në toka buke. Pas shembjes së sistemit komunist ( viti 1991) e deri sot po rigjenerohen mjaft pyje dushku, si dhe po gjelbërohet e gjithë zona për ta kthyer atë siç ka qenë, gjithashtu fërmerët kanë mbjellë masive me vreshta, ullishta e pemë të ndryshme frutore  dhe dita ditës Dumrea po gjelbërohet.