Zona e Dumrese ka pyje dushku, drize, shkoze, frashër dhe pemë frutore të cilët i japin asaj një bukuri të rrallë. Pas formimit të Kooperativave Bujqësore në vitin 1956-57 kjo zonë iu nënshtrua shpyllëzimeve pa kriter, të prerjes masive të pemëve për t`i kthyer ato në tokë buke. Pas shembjes së sistemit komunist e deri më sot po rigjenerohen mjaft pyje dushku, si dhe po gjelbërohet e gjithë zona për ta kthyer atë siç ka qenë, gjithashtu fermerët kanë mbjellë masivë me vreshta, ullishtë e pemë të ndryshme frutore. Gjithsesi, duke qënë se pyjet menaxhohen nga Bashkitë, është e rëndësishme që ato të përdoren edhe si burim ekonomik duke u shfrytëzuar në mënyrë efiçiente dhe pa dëmtuar mjedisin.  Shumë nga kodrat e Belshit kanë filluar të mbillen me plantacione me ullinj dhe me vreshta. Janë kryesisht emigrantët nga Belshi, të cilët janë kthyer dhe po investojnë në zonë.  Në terren nuk vërehen problematika të shpyllëzimit pa kriter, kryesisht ato përdoren për ngrohje nga banorët e zonës.