Zyra e Gjendjes Civile është përgjegjëse për dhënien e informacionit nga arshiva e saj dhe në të njëjtën kohë për të ofruar një gamë të gjerë shërbimesh si lëshimin e akteve martesorë, shpallje martese, çertifikata familjare, çertifikata lindje, akte lindje, çertifikata kompesimi lindje, akte vdekje, çertifikata shpenzimesh funeral, çertifikata ndarje familjare etj.

Disa prej shërbimeve që ofron Zyra e Gjendjes Civile, më në hollësi janë:

Regjistrim Lindje
Lindja rregjistrohet në Zyrën e Gjëndjes Civile ku kanë vendbanimin prindërit. Për fëmijët e lindur jashtë shtetit, prindërit e të cilëve janë banorë të përherëshëm në Shqipëri, rregjistrimi i lindjes kryhet pranë Shërbimit Konsullor Shqiptar në vendin e lindjes ose nëse kjo nuk është e mundur ai kryhet në zyrat e gjendjes civile të atij vendi. Për çdo lindje që regjistrohet brenda 60 ditëve nga dita e lindjes për fëmijët e lindur në Shqipëri dhe 90 ditë për fëmijët e lindur jashtë, prindërit përfitojnë shpërblim 5000 lek. Rregjistrimin e fëmijës e bën një nga prindërit ose në mungesë të tyre një i afërm me dokument identifikimi. Emrin e fëmijës e caktojnë prindërit. Prindërve ju jepen dy çertifikata: një për shpërblim dhe një për efekt dokumenti.

Rregjistrim Vdekje
Rregjistrimi i vdekjes bëhet në Zyrën e Gjëndjes Civile ku ka vendbanimin personi i vdekur. Rregjistrimi i vdekjes bëhet nga një anëtar i familjes ose në mungesë të tyre nga një përfaqësues i Bashkisë. Rregjistrimi është i vlfshëm vetëm kur është i shoqëruar me një raport mjekësor. Afati i rregjistrimit të vdekjes është 10 ditë për vdekjet e ndodhura brenda shtetit, dhe 30 ditë për ato jashtë vendit. Në rast se kalon afati i mbajtjes së aktit të vdekjes, ajo është e dënueshme me një gjobë prej 3000 lekësh.
 

Transferim të të Dhënave të Gjendjes Civile
Transferimi i të dhënave të gjendjes civile, në një zyrë tjetër të gjendjes civile bëhet me kërkesën e kryefamiljarit, i cili paraqet pranë zyrës së gjendjes civile të vendbanimit të ri këto dokumente:

a) kërkesën me shkrim për regjistrim në vendbanimin e ri;
b) dokumentin e pronësisë së banesës ose një kontrate qiramarrjeje, të paktën një vjeçare;
c) vërtetim lëshuar nga administratori i njësisë administrative, ku ai shprehet se shtetasi banon në njësinë administrative përkatëse;
d) çertifikaten familjare nga zyra e gjendjes civile e vendbanimit të mëparshëm.
e) Çdo familjar është i detyruar të bëjë transferimin e gjendjes civile të familjes jo më vonë se 45 ditë nga ardhja në vendbanimin e ri. Moszbatimi i afatit dënohet me gjobë në masën 1000 lekë.
 

Lidhja e Martesës

Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Martesa lidhet para nëpunësit të gjendjes civile, me pëlqimin e lirë të të dy bashkëshortëve të ardhshëm. Nëpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj. Martesa lidhet 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes së martesës. Për lidhjen e martesës bashkëshortet e ardhshëm duhet të jenë të shoqëruar nga dy dëshmitarë.

Për lidhje martese, shtetasit Shqiptarë duhet të paraqesin këto dokumente:

* Çertifikatë lindjeje të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, jo më parë se 15 ditë nga data në të cilën kërkohet të lidhet martesa, me shënimin “për lidhje martese”;

* Dokument identifikimi.

 

Për lidhje martese, shtetasit e huaj duhet të paraqesin këto dokumente:

* Çertifikatë lindjeje, të lëshuar jo më parë se një muaj nga data në të cilën kërkohet të lidhet martesa;

* Vërtetim që provon se nuk ka pengesa ligjore për të lidhur martesë.

Dokumentet e mësipërm legalizohen në përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit, ndërsa ato të lëshuara nga përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë legalizohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

 

Disa prej taksave për disa prej shërbimeve më të zakonshme janë:

1. Për lëshimin e çertifikatave të gjendjes civile, taksa është 50 lekë

2. Për lëshimin e çertifikatave të gjendjes civile në gjuhë të huaj, taksa është 200 lekë

3. Për lëshimin e çertifikatave të martesës në gjuhë të huaj, taksa është 200 lekë

4. Për rregjistrimin e marrjes së shtetësisë Shqiptare, taksa është 2000 lekë

5. Për rregjistrimin e lënies së shtetësisë Shqiptare, taksa është 2000 lekë

6. Për çdo lloj martese, taksa është 1000 lekë

7. Për rregjistrim Leje Banimi, taksa është 0 lekë, dhe kur kalon 30 ditë nga afati është 3000 lekë.