Strategjia për marketingun, promovimin dhe brandimin e paketës turistike të Bashkisë Belsh
Në kuadër të projektit “Përmirësimi i Shërbimeve të Integruara të Bashkisë Belsh për Turizmin e Qëndrueshëm”, është hartuar “Strategjia për Marketingun, Promovimin dhe Brandimin e Paketës Turistike të Bashkisë Belsh”, me synim mbështetjen e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në Belsh dhe rritjen e vizibilitetit të destinacionit në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
Strategjia është realizuar nga Universiteti i Elbasanit, Fakulteti Ekonomik, Departamenti i Marketingut dhe Turizmit, në koordinim me Bashkinë Belsh dhe organizatat partnere të projektit. Dokumenti ofron një analizë të potencialeve turistike të territorit dhe një qasje të integruar për marketingun, promovimin dhe brandimin e paketës turistike të Belshit.
Në fokus të strategjisë janë turizmi natyror dhe kulturor, bukuritë e liqeneve të Dumresë, trashëgimia dhe traditat lokale, agroturizmi dhe gastronomia, aktivitetet në natyrë, si dhe përfshirja e komunitetit lokal në zhvillimin e ofertës turistike.
Strategjia përcakton gjithashtu drejtime për forcimin e identitetit të destinacionit, përdorimin e kanaleve dixhitale dhe tradicionale të promovimit, bashkëpunimin me aktorët e sektorit të turizmit dhe zhvillimin e një komunikimi të qëndrueshëm për markën turistike të Belshit.
Ky dokument përbën një bazë orientuese për promovimin e potencialeve turistike të Belshit dhe për zhvillimin e një oferte turistike më të strukturuar, të qëndrueshme dhe konkurruese.
Financuar nga IADSA – Marrëveshja Italiane-Shqiptare e Shkëmbimit të Borxhit për Zhvillim, në kuadër të projektit të sipërpërmendur.
Strategjia_Marketing_Belsh_Final-1