Turizmi & Natyra
Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të qytetit të Belshit. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike dhe natyrore, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familiar dhe ai i organizuar. Në disa fshatra, mund të zhvillohet turizmi liqenor. Vitet e fundit ka patur interes në rritje në lidhje me turizmin liqenor në zonën e Dumresë.
RELIEVI
Dumrea e parë nga lart është një pllajë e bukur, kodrinore me kodra të ulta dhe fusha të vogla, me gropa dhe me shumë liqenë të bukur natyrorë. Në përgjithësi relievi i saj dallohet nga ndryshimet e vogla të lartësive. Territoret më të larta shtrihen në formën e një brezi. Format kryesore që i japin fizioniominë relievit të kësaj pllaje janë kodrat, fushë – gropat dhe gropat. Kodrat në përgjithësi dallohen për shtrirje gjatësore e tërthore të vogël dhe një pjesë e tyre janë në forma të rrumbullakta. Lartësia e zonës mbi nivelin e detit luhatet nga 100 m deri në 200m. Lartësia më e madhe e zonës është Sopi i Turres 240,2m dhe mali i Gradishtës 239m mbi nivelin e detit. Në këtë zonë ka dhe shumë gropa që janë krijuar si rezultat i fenomenit të Karstit. Ato janë shumë të përhapura në këtë zonë.
Gropa më e madhe është e ashtuquajtura “Gropa e madhe”, që ndodhet në të majtë të rrugës Fierzë-Kosovë me thellësi 80m dhe dimensione 750m x 500m. Në brendësi të zonës ka shumë hinka të tjera që janë krijuar si rrjedhojë e fenomenit të karstit. Fenomeni i karstit vazhdon dhe sot por në përmasa të vogla (Fundosja e një siperfaqe toke në fshatin Fierze me 12 shkurt 1998 me një volum prej 1600 m3). Shpatet e kodrave në përgjithësi janë të buta, por ka dhe shpate të pjerrta sidomos atje ku ka patur shkëputje tektonike sidomos në pjesën lindore të zonës Dumresë. Në këtë territor rrjedhin disa përrenj kryesisht në tre drejtime: Në lumin Shkumbin, Devoll dhe disa i derdhin ujrat e tyre në liqene.