KREU VII

FUNKSIONET DHE KOMPETENCAT E NJËSIVE

TË VETËQEVERISJES VENDORE

Neni 21

Llojet e funksioneve

  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë funksione, kompetenca, si dhe funksione të deleguara.
  1. Funksionet u njihen njësive të vetëqeverisjes vendore me këtë ligj. Funksione apo kompetenca te¨ tjera mund t’u njihen nje¨, disa apo te¨ gjitha nje¨sive te¨ vete¨qeverisjes vendore vetëm në bazë të ligjit.
  1. Funksionet e deleguara u transferohen njësive të vetëqeverisjes vendore me ligj ose me marrëveshje. Në çdo rast delegimi i funksioneve shoqërohet nga transferta e mjaftueshme e qeverisjes qendrore për të financuar koston e ushtrimit të këtyre funksioneve.

 

Neni 22

Parimet për ushtrimin e funksioneve

  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë dhe administrojnë ushtrimin e funksioneve të veta në mënyrë të plotë dhe të pavarur, në përputhje me Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe ligjet në fuqi.
  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë funksionet duke respektuar politikat kombëtare dhe rajonale. Për këto funksione, qeverisja qendrore mund të vendosë standarde e norma specifike të përgjithshme, me qëllim ruajtjen e interesave kombëtarë dhe ofrimin e shërbimeve cilësore.
  1. Në rastet kur njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk zotërojnë fondet ose mjetet e mjaftueshme për arritjen e standardeve dhe normave kombëtare, qeverisja qendrore u jep atyre mbështetjen e nevojshme financiare.
  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore administrojnë ushtrimin e funksioneve të deleguara, sipas legjislacionit në fuqi.
  1. Kur njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë funksionet e deleguara, qeverisja qendrore siguron mjete dhe burime financiare të mjaftueshme për të ushtruar këto funksione në mënyrën dhe në atë nivel ose standard, i cili është përcaktuar me ligj.

 

Neni 23

Funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike

 Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre për:

  1. Prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm.
  2. Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
  3. Mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e banuara.
  4. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të trotuareve dhe shesheve publike vendore.
  5. Ndriçimin e mjediseve publike.
  6. Transportin publik vendor.
  7. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave publike, si dhe garantimin e shërbimit publik të varrimit.
  8. Shërbimin e dekorit publik.
  9. Parqet, lulishtet dhe hapësirat e gjelbra publike.
  10. Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.
  11. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave arsimore të sistemit shkollor parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale.
  12. Administrimin dhe rregullimin e sistemit arsimor parashkollor në kopshte dhe çerdhe.
  13. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të shërbimit parësor shëndetësor dhe zhvillimin e aktiviteteve edukuese e promovuese në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e shëndetit, si dhe administrimin e qendrave e të shërbimeve të tjera në fushën e shëndetit publik, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  14. Planifikimin, administrimin, zhvillimin dhe kontrollin e territorit, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Neni 24

Funksionet e bashkive në fushën e shërbimeve sociale

 Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

  1. Krijimin dhe administrimin e shërbimeve sociale, në nivel vendor, për shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, gratë, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara, viktima të trafikut, nëna apo prindër me shumë fëmijë, të moshuarit etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  1. Ndërtimin dhe administrimin e banesave për strehimin social, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  1. Ndërtimin dhe administrimin e qendrave për ofrimin e shërbimeve sociale vendore.
  2. Krijimin, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mirëqenien sociale, të fondit social për financimin e shërbimeve, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

 

Neni 25

Funksionet e bashkive në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve argëtuese

 Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

  1. Zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave e të trashëgimisë kulturore me interes vendor, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
  1. Organizimin e aktiviteteve kulturore dhe promovimin e identitetit kombëtar e lokal, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
  1. Zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e bibliotekave e të ambienteve për lexim, me qëllim edukimin e përgjithshëm të qytetarëve.
  1. Organizimin e aktiviteteve sportive, çlodhëse e argëtuese, zhvillimin dhe administrimin e institucioneve e të objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

Neni 26

Funksionet e bashkive në fushën e mbrojtjes së mjedisit

 Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

  1. Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja.
  1. Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen nga ndotja akustike.
  2. Zhvillimin e aktiviteteve edukuese dhe promovuese, në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

 

 

Neni 27

Funksionet e bashkive në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pyjeve dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit

 Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

  1. Administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  1. Administrimin dhe mbrojtjen e tokave bujqësore e të kategorive të tjera të resurseve, si toka të pafrytshme etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  1. Krijimin dhe administrimin e sistemit vendor të informacionit dhe këshillimit bujqësor e rural, sipas legjislacionit në fuqi.
  1. Krijimin dhe administrimin e skemave vendore të granteve për bujqësinë e zhvillimin rural, të financuara nga buxheti lokal dhe/ose me bashkëfinancim nga të tretët, duke garantuar akses të balancuar gjinor.
  1. Administrimin e fondit pyjor dhe kullosor publik, sipas legjislacionit në fuqi.
  2. Mbrojtjen e natyrës e të biodiversitetit, sipas legjislacionit në fuqi.

 

 

Neni 28

Funksionet e bashkive në fushën e zhvillimit ekonomik vendor

 Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

  1. Hartimin e planeve strategjike të zhvillimit e të programeve për zhvillimin ekonomik vendor.
  1. Ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë.
  2. Mbështetjen për zhvillimin e biznesit të vogël, nëpërmjet veprimtarive nxitëse, të tilla si panaire e reklama në vende publike.
  1. Organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor, si informacioni për bizneset, aktivitetet promovuese, vënia në dispozicion e aseteve publike etj.
  1. Publikimin e broshurave informative, krijimin e portaleve me profil ekonomik etj.
  2. Dhënien e granteve financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të mesëm, sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të balancuar gjinor.

Neni 29

Funksionet e  bashkive në fushën e sigurisë publike

 Bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e këtyre funksioneve:

  1. Mbrojtjen civile, në nivel vendor, dhe administrimin e strukturave përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  1. Garantimin e shërbimit të zjarrfikësve, në nivel vendor, dhe administrimin e strukturave përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
  1. Garantimin e mbarëvajtjes së marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.
  1. Parandalimin e kundërvajtjeve administrative, forcimin, inspektimin dhe monitorimin e zbatimit të rregulloreve e të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda juridiksionit të tyre vendor dhe në përputhje me përcaktimet ligjore.