Neni 53

 Funksionimi i këshillit bashkiak

  1. Këshilli bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës.
  2. Mbledhjet e radhës së këshillit bashkiak zhvillohen si rregull, sipas përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj.
  3. Këshilli mblidhet në çdo rast: a) me kërkesën e kryetarit të bashkisë; b) me kërkesën me shkrim të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të tij; c) me kërkesën e motivuar të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij.
  4. Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës.
  5. Rendi i ditës miratohet nga këshilli.
  6. Në periudhën nga data e zgjedhjeve e deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i mëparshëm bashkiak ushtron kompetenca të kufizuara dhe merr vendime vetëm në raste të situatave emergjente.
  7. Mbledhja e këshillit bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një shumicë tjetër për marrjen e vendimeve, sipas përcaktimeve në nenin 55 të këtij ligji.
  8. Mbledhjet e këshillit pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjes. Mënyra e mbajtjes së procesverbalit dhe e vërtetimit të tij përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.

 

Neni 54

 Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:

a) zgjedh nga përbërja e vet komisionet e këshillit dhe miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;

b) zgjedh, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, kryetarin dhe zëvendëskryetarët e këshillit dhe i shkarkon ata;

c) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit bashkiak;

ç) miraton nivelin e pagave e të shpërblimeve të punonjësve e të personave të tjerë, të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

d) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues;

dh) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;

e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;

ë) organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë;

f) vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi;

g) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;

gj) vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;

h) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;

i) zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar;

j) vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji;

k) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik;

l) vendos për simbolet e bashkisë; 24

ll) vendos për emërtimin e rrugëve, shesheve, territoreve, institucioneve dhe objekteve në juridiksionin e bashkisë;

m) jep tituj nderi dhe stimuj;

n) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në bazë dhe për zbatim të ligjit, me të cilin bëhet ky delegim te bashkia.