Në teritorin e Dumresë ka shumë liqene natyrorë që janë formuar si rezultat i fenomeneve karstike që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë dhe sot në përmasa më të vogla. Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha. Aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë. Bukuritë e këtyre liqeneve kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj të cilët   mund të shfrytëzohen edhe për turizëm. Këto liqene shfrytëzohen për peshkimin dhe vaditjen e kulturave bujqësore. Ata kanë madhësi dhe thellësi të ndryshme. Liqenet janë të pasur dhe me peshq kryesisht krapi natyror, krapi i kultivuar, ballgjëri, amuri etj, dhe në disa liqene rritet dhe ngjala si specie endogjene.

Në liqenet e Dumresë rriten rosat e egra, bajzat, dhe patat e egra të cilat janë shpend shtegtarë. Madhësia  e  liqeneve shkon nga 500m2 deri në 968.000m2 (liq. Çestijes). Thellësia shkon nga 5m  deri në 61m (liq. Merhojës). Janë liqene kryesisht me regjim shiu, që mbushen nga reshjet që bien. Torfa është e pranishme në shumë nga këto liqene dhe më e theksuar ajo është në liqenin e Belshit, Seferanit, Cestijes, Çerrages. Liqenet kanë flore të pasur, kanë zambakë (lekoi i verdhë dhe lekoi i bardhë, që ndodhen në liqenin e Seferanit,  Degës,  Çerragës). Disa nga liqenet me piktoreskë të Dumresë janë: – Liqeni i Belshit, Merhojes, Seferanit, Cestijes, Deges, Liqeni i Kuq, Paraskës dhe i Marinzës etj.


 

Karakteristikat e liqeneve të Dumresë

Liqeni  Belshit

Ndodhet në Belsh në anën Lindore dhe Jugore të qytezës së Belshit. Ka një sipërfaqe prej 26,9 ha dhe një thellësi   maksimale prej 13,1 m në anën Jugore të tij. Liqeni i Belshit te ofron nje pamje piktoreske te qendrës se qytetit. Shfrytëzohet për peshkim dhe ujitje.

 

 

Vizitohet, duke marrë rrugën Elbasan – Belsh – Qendër. 

 

Liqeni  Seferanit

Ndodhet në fshatin Seferan. Ka sipërfaqe prej 87,5 ha, ka thellësi mesatare 4,5 m dhe thellësi  maksimale 20,8m, gjatësi 2,05 km, gjerësi më të madhe 500 m, gjatësi të brigjeve 5.95 km.. Shfrytëzohet për peshkim dhe ujitje. Në të rritet zambaku, “Lekoi i Verdhë dhe Lekoi i Bardhë”.  Përbën një liqen interesant karstik, të formuar nën veprimin e karstit në gjipset e Dumresë nga bashkimi i disa hinkave karstike të mbushura me ujë, si pasojë e bllokimit me materiale të patretshme dhe të papërshkueshme të kanaleve nënëtokësore karstike. Formon një ekosistem të veçantë liqenor, me botë të gjallë të pasur.

Vizitohet, duke marrë rrugën Elbasan – Belsh – Seferan. 

 

Liqeni  Merhojes

Ndodhet në Veri të fshatit Merhoje dhe në lindje të fshatit Cepe. Është liqeni më i thelle ndër liqenet e Dumresë dhe ka ujin më të pastër dhe të pandotur. Shquhet për peshkun e llojit krap. Ka një sipërfaqe prej 65,5 ha dhe një thellësi  maksimale prej 61 m. Shfrytëzohet për ujitje dhe peshkim.

Vizitohet, duke marrë rrugën Elbasan – Belsh – Çepë. 

 

Liqeni  Çestijes

Ndodhet në afërsi të fshatit Çestije të Njesisë Administrative Kajan. Është liqeni më i madh ndër liqenet e Dumresë. Ka një sipërfaqe prej 96,8 ha dhe një thellësi maksimale prej 11 m. Shfrytëzohet për ujitje dhe peshkim.

Liqeni i Çestijes

Vizitohet, duke marrë rrugën Elbasan – Belsh – Çepë – Fierzë – Çestije. 

 

Liqeni  Degës

Ndodhet pranë fshatit Fierzë, në pllajën e Dumresë, në lartësinë rreth 160 m mbi nivelin e detit. Përbën një liqen interesant karstik, me formë tepër të përzgjatur (1600 m i gjatë dhe deri në rreth 300 m i gjerë), ka 3800 m gjatësi të vijës bregliqenore, 17,9 m thellësi dhe sipërfaqe 37,4 ha. Është ndër liqenet më të bukur në grupin e atyre të Dumresë. Të formuar nën veprimin e karstit në gjipse nga bashkimi i disa hinkave karstike të mbushura me ujë, si pasojë e bllokimit me materiale të patretshme dhe të papërshkueshme të kanaleve nënëtokësore karstike. Formon një ekosistem të veçantë liqenor me botë të gjallë të pasur. Temperatura e ujit në dimër është 7,8 – 8 °C. Ende ruhet në gjëndje të mirë. Rigjallërimi i bimësisë natyrore në shpate dhe kufizimi i kultivimit të drithërave në shpatet e pjerrtë përreth tij, do t’i shtonin edhe më shumë vlerat e tij atraktive.

dega

Vizitohet, duke marrë rrugën Elbasan – Belsh – Çepë – Fierzë – Liqeni i Degës. 

 

Liqeni Gjoli i Gjat

Liqeni ‘Gjoli i Gjatë’ ndodhet në hyrje të qytezës së Belshit. Është një liqen me sipërfaqe më të vogël në krahasim me liqenet e tjerë të marrë në studim. Ai ndodhet rreth 135.6 m mbi nivelin e detit. Në matjet e kryera, ky  liqen ka thellësi të vogël, prej disa centimetrash. Megjithatë, thellësia e tij ndryshon në varësi të reshjeve. Ky liqen është i rrethuar nga shtëpi banimi, të cilat shkarkojnë mbeturinat e tyre ujore në të, dhe nga toka bujqësore, rrjedhjet e të cilave të pasura me nutrientë, përfundojnë  përsëri në liqen.