Zona e Dumresë është një zonë arsimdashëse. Mësimet në gjuhën shqipe në Belsh kanë filluar rreth viteve 1920-23. Një rol të veçantë në hapjen e shkollës parë shqipe në Belsh ka luajtur “Kongresi Arsimor”, që u mbajt në Elbasan me  9 shtator të vitit 1909 i cili vendosi dhe përhapjen e shkollës normale në Elbasan. Shkolla normale e Elbasanit luajti    një  rol  të  madh  në furnizimin  me mësues në shkollën e Belshit ku në këtë shkollë kanë dhënë mësim figura të njohura të arsimit shqiptar. Shkolla vazhdoi rregullisht pa ndërprerje dhe mësimi deri në vitin 1935  zhvillohej në xhaminë e Belshit. Dhe në këtë vit u ndërtua shkolla e parë nga vetë fshatarët, tek xhamia e sotme, me  katër  klasa  dhe  një  drejtori  e  vogël.  Kështu shkolla ka vazhduar pa ndërprerje deri në ditët e sotme. U ndërtuan dhe shkolla në fshatrat e tjerë të zonës Dumresë. Në vitin 1970 pranë shkollës 8-vjeçare u hap dhe një klasë e profilit bujqësore e mesme, dhe një klasë e mesme e përgjithshme që më vonë u bë shkollë e Bashkuar, është ndërtuar në vitin 1984 dhe shkolla 9- vjeçare në vitin 1987 në qendër të Belshit. Nga bankat e shkollave të zonës Belshit kanë dalë një numër mjaft i madh nxënësish, të cilët kanë vazhduar shkollat e larta dhe sot punojnë në sektorë të ndryshëm dhe japin një kontribut të madh në zhvillimin e zonës dhe të vendit.

Sot në zonën e Dumresë ka gjithsej 18 kopshte publike dhe 20 shkolla, nga këto 17 shkolla  9-vjeçare,  2 shkolla 9-vjeçare + e mesme (Deshiran dhe në Kosovë) dhe 1 shkollë e mesme e përgjithshme (në Belsh).