Përfituesit e ndihmës ekonomike janë:

a) familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme;

b) jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;

c) prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;

ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre;

d) viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

Kush nuk përfiton

a) shtetasit shqiptarë, që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të subjekteve përfituese të nenit 9, të këtij ligji;

b) azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilantit, dhe refugjatët, të cilët nuk kanë marrë statusin e refugjatit;

c) shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, në përputhje me ligjin për të huajt;

ç) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, për përfitim të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar;

d) personat, që, me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuajnë dënimin me heqje lirie, dhe personat, që trajtohen me mjekim të detyruar, me vendim gjykate, në institucione mjekësore të posaçme, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor;

dh) personat, që trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit, për masën e ndihmës ekonomike apo pagesën për aftësinë e kufizuar.

Aplikimi dhe përfitimi i ndihmës ekonomike

1. Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet nga:

a) kryetari i familjes ose njëri nga anëtarët madhorë të familjes, së bashku me bashkëshortin/en ose i vetëm, kur nuk ka bashkëshort/e;

b) secili prej bashkëshortëve, në rastet kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe nuk ka ende vendim gjykate të formës së prerë;

c) nga vetë individi, sipas përcaktimeve në shkronjat “b”, “ç” e “d”, të nenit 7.

2. Aplikimi për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet tek administrator shoqëror, në njësinë administrative, nën juridiksionin e së cilës ka vendbanimin. Kriteret, procedura dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës ekonomike, si dhe masa e përfitimit të saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Pranueshmëria në skemën e ndihmës ekonomike bëhet nëpërmjet formulës së pikëzuar, treguesit e së cilës mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë. Treguesit e vlerësimit të formulës së unifikuar të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj nga bashkia, nëpërmjet shërbimit bankar dhe/ose shërbimit postar, bazuar në vendimin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.

5. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja e kryefamiljarit. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon, të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.

 

 

MBROJTJA NDAJ DHUNES NE FAMILJE

Ky ligj ka për qëllim:

1. Parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore dhe të masave të tjera të nevojshme.

2. Garantimin e mbrojtjes me masa ligjore dhe me masa të tjera të nevojshme të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar, si dhe të çdo individi, subjekt i këtij ligji, sipas nenit 3, të tij, që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje.